Kjo përmbajtje është e disponueshme vetëm pasi të keni pranuar cookies.
Kthehu te indeksi

Elia në malin Karmel

Kjo përmbajtje është e disponueshme vetëm pasi të keni pranuar cookies.

1 i Mbretërve 18:38

”Atëherë ra zjarri i ZOTIT dhe konsumoi holokaustin, drutë, gurët e pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë”.

Teksti i plotë i biblës

1 i Mbretërve 18:20-40 20Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel. 21Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij, por në qoftë se, përkundrazi, është Baali, atëherë ndiqni atë”. Populli nuk tha asnjë fjalë. 22Atëherë Elia i tha popullit: “Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalitjanë katërqind e pesëdhjetë. 23Le të na jepen dy dema të rinj, ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi dru, pa i ndezur ato, unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi dru, pa i ndezur ato. 24Ju do t’i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin, perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia”. Tërë populli u përgjigj dhe tha: “E the bukur”. 25Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: “Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët, sepse jeni më shumë, pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin”. 26Kështu ata morën demin që ua dhanë dhe e përgatitën, pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: “O Baal, na u përgjigj!”. Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj, ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishte ndërtuar. 27Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: “Ulërini më fort, sepse ai është zoti, ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë, ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar”. 28Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, derisa të kullonin gjak. 29Me të kaluar mesidta, ata bënë profeci deri në kohën që ofrohej blatimi, por nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin. 30Atëherë Elia i tha tërë popullit: “Afrohuni para meje!”. Kështu tërë populli iu afrua dhe ai ndreqi altarin e Zotit që ishte prishur. 31Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: “Emri yt do të jetë Izrael”. 32Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një nxënësi prej dy masash gruri. 33Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi dru. Dhe tha: “Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi holokaust dhe mbi dru”. 34Përsëri tha: “Bëjeni një herë të dytë.” Ai tha ende: “Bëjeni për të tretën herë”. Dhe ata e bënë për të tretën here. 35Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën. 36Në orën që ofrohej blatimi profeti Elia u afrua dhe tha: “O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet se ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt, që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd. 37Përgjigjmu o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre”. 38Atëherë ra zjarri i Zotit dhe konsumoi holokaustin, drutë, gurët e pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë. 39Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën përtokë dhe tha: “Zoti është Perëndia! Zoti është Perëndia!”. 40Pastaj Elia u tha atyre: “zini profetët e Baalit, mos lini të t’ju ikë as edhe një!”. Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përroin Kishon, ku i theri.

Mbi pikturën

Kjo përmbajtje është e disponueshme vetëm pasi të keni pranuar cookies.
Gjatë mbretërimit të mbretit Ashab, adhurimi i Baalit fitoi mbizotërim të dukshëm. Gruaja e Ashabit, Jezebeli e drejtoi popullin te ky adhurim. Profeti Elia tishbiti i lutet Perëndisë që të dërgojë një thatësirë në mënyrë që Izraeli (këtu: mbretëria dhjetë-fisnore e veriut), ta shohë se adhurimi i Baalit e zemëron Perëndinë, dhe populli të kthehet në adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Elia ia njofton thatësirën mbretit Ashab dhe fshihet në anë të përroit Kerith. Për tre vjet, nuk ka shi në Izrael. Më pas, Elia, duhet të kthehet te Ashabi dhe ta udhëzojë që të çojë popullin në malin Karmel. Atje, Elia do t’i drejtohet popullit me një zgjedhje: “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij!”. Dhe kështu ndodh. Ofrohen dy sakrifica, njëra në altarin drejtkëndësh të gdhendur nga shkëmbi i Baalit, dhe një mbi altarin, e ndërtuar prej dymbëdhjetë gurëve, të riparuar nga Elia, për Zotin. Perëndia i cili do të konsumojë sakrificën e ofruar Atij, me zjarr nga qielli, është Perëndia i vërtetë! Baali quhej perëndia-diell. Adhuruesit e tij besonin se ai dërgonte vetëtima e bubullima. Por Baali nuk u përgjigj, edhe pse priftërinjtë e Baalit i thirrën atij me orë të tëra, edhe duke u lënduar. Atëherë Elia përgatiti sakrificën dhe hodhi dymbëdhjetë vazo uji mbi të. Perëndia iu përgjigj lutjes së tij me zjarr që konsumoi sakrificën, altarin dhe ujin! “Zoti, Ai është Perëndi!”. Priftërinjtë e Baalit vriten nga Elia, sipas urdhërimit të Perëndisë te Ligji i Përtërirë 13:1-5. Kjo histori është një paralajmërim që të mos jeni me dy mendje në adhurimin e Perëndisë. “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do të dojë tjetrin, ose do t’i ngjitet njërit dhe ta përçmojë tjetrin, nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit”. Mateu 6:24. Historia e popullit të Izraelit tregon një model të përsëritur sjelljeje të largimit nga Perëndia dhe kthimit te Ai. Thatësira ishte një masë disiplinore në duart e Perëndisë për ta kthyer Izraelin te Ai, që t’i shërbejë Atij me një “zemër të plotë”. Kjo masë disiplinore tregon dashurinë e hirshme të Perëndisë për popullin e Tij. Veprimet e Elias na kujtojnë Gjon Pagëzorin, i cili gjithashtu bëri thirrje për pendesë kur lajmëroi ardhjen e Mesias. Mesia, i cili do vinte pas tij, do të “pagëzonte me Frymën e Shenjtë dhe zjarr”. “Dhe ai (pra, Gjon Pagëzori) do t’i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe të pabindurit në mençurinë e të drejtëve, për t’ia bërë Zotit gati një popull të përgatitur”. Luka 1:16-17 Jezusi, Mesia, po ashtu thirri për pendesë: “... Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër”. Mateu 4:17. Për sa i përket misionit të Tij, Ai tha: “Nuk jam dërguar gjetiu, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. Mateu 15:24. “Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën ...”. Ezekieli 34:16.

Bëj një pyetje mbi pikturën

Shkarkoe imazhin falas